Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës

Paralajmërim publik drejtuar institucioneve qendrore e lokale të Kosovës

Mos provoni ta nënvlerësoni SBASHK-un

 

I nderuari Kryeministër Mustafa, të nderuar Ministra Hoti e Bajrami, të nderuar kryetar të qeverive lokale dhe Ju drejtorë të DKA-ve. Ju drejtohem me këtë paralajmërim publik e me kërkesën që të mos provoni ta nënvlerësoni SBASHK-un. Ju të gjithë e dini se kishim zhvilluar dialog me muaj të tërë në përpjekje për të gjetur zgjidhje për kërkesat legjitime të mësimdhënësve lidhur me implementimin e plotë të Kontratës Kolektive të sektorit të Arsimit Parauniversitar. Ju e dini edhe se në mungesë të reflektimit tuaj pasuan veprimet e përshkallëzuara sindikale me grevat njëorëshe, dyorëshe dhe njëditëshe.


U ngritët në këmbë atëherë dhe shprehet pakënaqësi me këto veprime dhe bëtë thirrje për vazhdimin e dialogut. Ne vazhduam me dialogun dhe kishim edhe ofertën se në mars do të fillohet me vënien në jetë të 0.5 % për çdo vit shërbimi, se në komuna do të angazhohen për zgjidhjen e çështjes së kompensimit prej 70 % për biletat e udhëtimit, se do të zgjidhej nga pushtetet lokale çështja e 3 pagave për mësimdhënësit e pensionuar dhe se në rishikimin e buxhetit do të gjendej zgjidhje edhe për shujtën dhe bazuar në këtë mësimdhënësit pezulluan grevën, por nuk e shpallën të mbyllur atë.
Shtrojmë pyetjen çfarë është realizuar nga gjithë këto nga pushtetet lokale dhe pushteti qendror. Përgjigjen e dini mirë edhe Ju.
Në këtë realitet aspak të këndshëm po Ju paralajmëroj në cilësinë e kryetarit të Sindikatës të mos provoni ta nënvlerësoni SBASHK-un. Obligimet që keni karshi Kontratës sonë Kolektive janë të lehta dhe mund të realizohen brenda dy a tri ditësh, por vetëm kërkohet seriozitet dhe angazhim.


Ju paralajmëroj se ,në vend të nënvlerësimit të kërkesave dhe qëndrimeve të SBASHK-ut, më mirë është të zgjidhni rrugën e reflektimit dhe të realizoni kompensimin prej 0.5 % për çdo vit shërbimi dhe kjo të shihet në pagat e marsit 2015 dhe që bashkërisht të punoni me kryetarët e komunave të zgjidhni edhe çështjen e kompensimit 70 % për biletat e udhëtimit të mësimdhënësve udhëtarë. Ta dini se nëse nuk ndodh kështu SBASHK-u do të ftojë anëtarësinë në grevë të përgjithshme deri në përmbushjen e kërkesave. Ky nuk është presion, por po ua tregoj të vërtetën. Udhëheqësit e SBASHK-ut kanë bërë gjithë angazhimet në mbrojtje të Kontratës dhe kërkesave legjitime të mësimdhënësve të Kosovës dhe do të vazhdojmë me misionin tonë. Mos na mbështetni për muri, po kryeni obligimin Tuaj, në të kundërtën do të kemi grevë dhe përgjegjësinë për këtë do ta keni Ju.

 

Prishtinë, 10 mars 2015

 

Rrahman Jasharaj, Kryetar i SBASHK-ut

Butoni posht

Marrëveshjet

Formulari për kartela sindikale

Gazeta Vjetore 2023

sbashk2023

 

 

 

Facebook

Na ndiqni nëfacebook apo në grupfacebook