Ministri në detyrë Hekuran Murati e kishte bërë të pamundurën që ta bllokojë dialogun social mes Qeverisë, punëdhënësve dhe Sindikatave, që janë pjesë e BSPK-së. Ai për këtë qëllim kishte pamundësuar shpalljen e konkursit për aplikim të palëve për 3 vite me radhë. Më në fund tani kur është vetëm ministër në detyrë ai ka shpallur konkurs me kritere të çuditshme e të pabazuara në Ligjin për Këshillin Ekonomik Social. Në konkursin e Muratit për KES përmendet numri prej 41.449 anëtarëve që duhet t’i kenë sindikatat. Ligji për KES kërkon se për të aplikuar për këtë Këshill, sindikata duhet t’i ketë anëtarë 10% i të punësuarve. Shtrohet pyetja se ku e mori Murati shifrën 41.449. Për cilët të punësuar mendon Murati ?. Po ashtu SBASHK publikisht kërkon sqarim nga Murati për termin “degë sindikale”. Ligji për organizim sindikal nuk e përmend këtë term, por saktëson tre terma për organizimin sindikal dhe atë shoqata sindikale, federata sindikale dhe Konfederata sindikale.
Duke u bazuar në këto paqartësi, që nuk janë bërë pa qëllim, SBASHK–u kërkon që thirrja drejtuar palëve për pjesëmarrje në bazë të konkursit me plotë paqartësi të anulohet dhe të shpallet konkurs i ri duke përdorë terme të qarta dhe duke u bazuar në Ligjin për organizmin sindikal dhe në Ligjin për Këshillin Ekonomik Social e duke mos harruar se në Kosovë është BSPK-ja e vetmja Konfederatë e regjistruar dhe prandaj ajo duhet të jetë pjesëmarrëse në një konkurs të ri për Këshillin Ekonomik Social si përfaqësuese e të punësuarve në Kosovë.
