SBASHK u përfaqësua në Konferencën Botërore mbi Inteligjencën Artificiale, e cila u mbajt në Bruksel, me një delegacion prej katër pjesëmarrësish të kryesuar nga Sekretari i Përgjithshëm i SBASHK-ut, z. Ymer Ymeri, si dhe Nënkryetarja e SBASHK-ut, znj. Vjollca Shala.
Konferenca u hap nga Kryetari i Edukimit Ndërkombëtar (EI), Magwena Maluleke. Fjalë përshëndetëse mbajtën edhe Kryetari i ETUCE-s, John MacGabhann, dhe Kryetarja e Sindikatës së Mësuesve të Amerikës (AFT), Randi Weingarten.
Me temën qendrore:
“Formësimi i së ardhmes sonë: Sindikatat e arsimit udhëheqin për një inteligjencë artificiale të përqendruar te njeriu”, gjatë ditës së parë u zhvilluan diskutime të rëndësishme rreth përdorimit të inteligjencës artificiale në arsim dhe ndikimit të saj në mësimdhënie, mësimnxënie dhe profesionin e mësuesit.
Në konferencë u trajtuan tema si:
Kornizat dhe qasjet e shkrim-leximit të IA-së dhe ndikimi i tyre në politikat arsimore;
Si duhet të integrohen konceptet e IA-së në kurrikula;
Roli i sindikatave të arsimit në mbështetjen e anëtarëve dhe nxënësve për t’u angazhuar në mënyrë kritike dhe të sigurt me teknologjitë e reja;
Përdorimi i mundësive që IA ofron për arsimin, duke garantuar etikë, privatësi, dinjitet profesional dhe standarde të barabarta për të gjithë.
Gjatë punimeve të konferencës u zhvilluan edhe diskutime panelesh ku morën pjesë përfaqësues të sindikatave nga shumë vende të botës, duke sjellë përvoja, ide dhe modele të zbatimit të IA-së në sistemet edukative.
Delegacioni i SBASHK-ut realizoi takime të rëndësishme me udhëheqës dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, përfshirë:
Kryetarin e EI-së, Magwena Maluleke;
Kryetaren e AFT-së, Randi Weingarten;
Kryetarin e ETUCE-s, John MacGabhann;
Drejtorin e ETUCE-së, Jelmer Evers;
Si dhe delegacione nga vende të ndryshme të Evropës, Amerikës, Afrikës dhe Azisë.
Ky pjesëmarrje e SBASHK-ut përbën një mundësi të rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, shkëmbimin e praktikave më të mira dhe avancimin e angazhimit sindikal për një qasje të drejtë, etike dhe të përqendruar te njeriu në përdorimin e inteligjencës artificiale në arsim.