Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës

Reagim i SBASHK-ut ndaj kërcënimit të Ministrit Hoti

Në vend të dialogut të qetë Ministri Hoti zgjodhi deklarimet me elemente ndëshkuese. SBASHK-u për katër muaj me radhë nuk la derë pa trokitur me qëllim që të dialogohet. SBASHK-u bëri veprime minimale sindikale dhe pezulloi grevën e përgjithshme për një kohë të gjatë. Qeveria për 4 muaj nuk bëri gjë konkrete në përmbushjen e as edhe njërës nga pikat e Kontratës Kolektive dhe kur ia behu greva u ngrit i tërë kabineti i Ministrit për të punuar. U lëshuan listat e pagave më 24 prill pikërisht në ditën kur ishte takimi i tre ministrave dhe i përfaqësuesit të SBASHK-ut dhe dihet se si ishin ato lista. U punuan listat e dyta dhe në orët e pasdites së djeshme nisi lëshimi i pagave. Kështu me gabime evidente në lista po bëhet plotësimi i një kërkese nga Kontrata Kolektive. Ministri ka thënë sa e sa herë dhe të tjerët në Qeveri e kanë thënë po ashtu se 0.5 % për çdo vit shërbimi do të paguhet në mënyrë retroaktive nga janari e këndej. Kjo nuk u bë. Pushteti lokal e ai qendror nuk kanë gjë për plotësimin e Kontratës Kolektive lidhur me udhëtimin dhe 3 pagat për mësimdhënësit me rastin e pensionimit. Ky është realiteti dhe gjithë këto kanë quar në grevë e greva është mjet i lejuar sindikal edhe me Ligjin mbi Grevat edhe Dokumente e Konventa ndërkombëtare.
Ministrin Hoti e këshillojmë të mos ngutet me deklarata për ndëshkime sepse po elektrizon edhe më shumë situatën në arsim dhe po ashtu e këshillojmë ta lexojë Ligjin për Greva ( Nr. 03/L-200) dhe veçmas nenin 7 të tij ( Arsyet e mbajtjes së grevës) dhe Nenin 13. Për opinionin e gjerë po e citojmë vetëm pikën 1 të këtij neni : " Për organizuesit e grevës, pjesëmarrësve grevistë dhe ndaj të punësuarve të tjerë, të cilët mbështesin grevën, nuk mund të merren masa disiplinore apo materiale dhe nuk mund t'u ndërpritet marrëdhënia e punës".
Kujtojmë ministrin Hoti se po në këtë ligj ka edhe nene që sanksionojnë ata që përdorin presionet ndaj grevistëve. Po ashtu kujtojmë ministrin Hoti dhe gjithë opinionin se në SBASHK ka demokraci të brendshme dhe se nuk vendos individi, po organi më i lartë mes dy kongreseve, pra Këshilli Drejtues.
Pra Ministër Hoti, në vend të kërcënimeve me masa ndëshkuese e me ndalesa në paga është më e mirë për të gjithë t'i ulim tensionet dhe t'i lëmë derën hapur dialogut dhe marrëveshjeve me tone të qeta.

Butoni posht

Marrëveshjet

Formulari për kartela sindikale

Gazeta Vjetore 2023

sbashk2023

 

 

 

Facebook

Na ndiqni nëfacebook apo në grupfacebook