Zbritje prej 20% të shërbimeve për anëtarët e SBASHK dhe familjarët e ngushtë të tyre
Prishtinë,12.09.2023Institucioni i njohur shëndetësor " Olive MEDICAL Group" SH.P.K. duke shprehur respekt për punëtorët e arsimit dhe ndaj SBASHK-ut si zë i tyre, ka shprehur vullnetin që të vazhdohet bashkëpunimi duke nënshkruar Memorandum mirëkuptimi. Përfaqësuesja e këtij institucioni shëndetësor ka vizituar selinë e SBASHK-ut dhe fillimisht i ka uruar për fillimin e vitit të ri shkollor e pastaj ka shprehur respekt meritor për angazhimet e SBASHK-ut në shërbim të anëtarësisë. Ajo ka vlerësuar se bashkëpunimi në të kaluarën ka qenë në nivel të lartë dhe ka lavdëruar anëtarët e SBASHK-ut për sjelljet me dinjitet sa herë kanë qenë në këtë institucion shëndetësor për të marrë shërbime.
Kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj bashkë me nënkryetaren Vjollca Shala dhe koordinatorin për organizim të brendshëm Ymer Ymeri kanë falënderuar këtë institucion shëndetësor për bashkëpunimin dhe respektin e treguar ndaj anëtarësisë së SBASHK-ut dhe për vullnetin që bashkëpunimi të vazhdojë.
Në Memorandumin e bashkëpunimit saktësohet se ky institucion shëndetësor ofron zbritje prej 20% për të gjitha shërbimet shëndetësore për anëtarët e SBASHK-ut dhe pjesëtarët e familjes së ngushtë të tyre.
Ky institucion shëndtësor, përveç në Prishtinë, është i pranishëm edhe në Prizren, Mitrovicë, Gjilan dhe Suharekë dhe ky Memorandum mirëkuptimi vlen edhe për Olive Medical Group në këto komuna.