Kryetar u zgjodh Zenun Nimani
Prishtinë, 28.12.2021
Të hënë e 27 nëntorit është mbajtur Kuvendi zgjedhor i Sindikatës së Arsimit Parauniversitar për komunën e Gjakovës. Në hapje të këtij takimi kryetari i këtij Kuvendi Sali Maliqi ka përshëndetur të pranishmit e pastaj ka falënderuar kryetarin SBASHK-ut Rrahman Jasharaj dhe zyrtarin ligjor Blendor Shatri për pjesëmarrje në këtë takim. Pas kësaj ai ka prezantuar raportin e punës për katër vitet e shkuara dhe raportin financiar, që janë aprovuar nga anëtarët e këtij Kuvendi.
Kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj ka përshëndetur pjesëmarrësit e pastaj ka përgëzuar ata dhe gjithë koleget e kolegët në komunën e Gjakovës dhe gjithë të punësuarit në sektorin e arsimit kudo në Kosovë për punën e angazhimin në misionin e shenjtë për edukimin dhe arsimimin e brezave. Ai ka shtuar se ndjehet krenar që për vite të tëra ka punuar e është angazhuar bashkë me kolegun Sali Maliqi e kolegët tjerë në shërbim të realizimit të kërkesave të anëtarësisë. Ky Kuvend ka propozuar që duke u bazuar në përkushtimin, angazhimin dhe mbrojtjen e kërkesave të anëtarësisë ky Kuvend mbështet kandidaturën edhe për një mandat kryetarin Rrahman Jasharaj.
Zyrtari ligjor Blendor Shatri pas kësaj ka dhënë sqarime lidhur me procesin zgjedhor duke cekur nene nga Statuti i SBASHK-ut. Pas kësaj Komisioni zgjedhor ka nisur me procesin e kandidimeve dhe me procesin zgjedhor përmes votës së lirë e të fshehtë. Fillimisht është votuar për kryetar të Kuvendit dhe një garë të fortë mes tre të propozuarve me votën e fshehtë të anëtarëve të Kuvendit kryetar u zgjodh Zenun Nimani. Në vazhdim është shkuar në zgjedhjen e nënkryetares, kryesisë, delegatëve të Kongresit dhe përfaqësuesit për këtë komunë për Këshillin Drejtues. Me votën e lirë e të fshehtë nënkryetare u zgjodh Mirdita Ademaj. Janë zgjedhur edhe anëtarët e Kryesisë, delegatët për kongres dhe anëtarët e Këshillit Drejtues nga kjo komunë.