Grupe të reja mësimdhënësish filluan me trajnimet nga larg
Prishtinë, 13.01.2021
Në SBASHK vazhdojnë të vijnë kërkesa të anëtarësisë nga shumë komuna të Kosovës për vazhdimin e organizimit nga larg të trajnimeve të licencuara "Forcimi i kapaciteteve për udhëheqjen efektive të dialogut social", "Udhëheqja dhe planifikimi strategjik në Arsimin Parauniversitar", "Edukimi medial dhe roli i tij në zhvillimin shoqëror dhe demokratik", "Mësimdhënia e gjuhës dhe letërsisë shqipe për ciklin fillor dhe të mesëm". Kështu pas përgatitjeve të duhura dhe ndarjes në grupe sipas vullnetit të shprehur të pjesëmarrëseve të mërkurën e 13 janarit u fillua me trajnimin "Udhëheqja dhe planifikimi strategjik në Arsimin Parauniversitar" me trajnerin Burim Avdiaj. Në këtë trajnim do të angazhohet kohë pas kohe edhe trajneri i ri Rasim Zariqi për të fituar përvojë që në të ardhmen të jetë në krye të kësaj detyre.
Po këtë të mërkure kanë nisur me aktivitetin e trajnimit edhe kolegët tanë nga shumë komuna të Kosovës në trajnimin "Forcimi i kapaciteteve për udhëheqjen efektive të dialogut social"në dy grupe të ndara me trajnerët Safet Beqiri dhe Skënder Gashi. Kanë nisur me sukses trajnimin kolegët tanë edhe në "Mësimdhënia e gjuhës dhe letërsisë shqipe për ciklin fillor dhe të mesëm"me trajnerin Hajrip Koçinaj. Trajnim tjetër i nisur mbarë është edhe ai "Edukimi medial dhe roli i tij në zhvillimin shoqëror dhe demokratik" me trajnerët Sami Shala dhe Hysen Hyseni, kurse grupi i tretë i këtij trajnimi do të nisin këtë aktivitet të enjten e 14 janarit me trajnerin Gëzim Qerimi.
Me grupet që kanë filluar sot me trajnimet janë kyçur edhe kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj dhe koordinatori për organizim të brendshëm Ymer Ymeri. Kryetari Jasharaj ka përgëzuar pjesëmarrësit e gjithë këtyre trajnimeve dhe kolegët kudo janë në Kosovë për përkushtimin e tyre në misionin e arsimimit dhe edukimit të brezave edhe për kundër kushteve tepër të rënduara në pandemia dhe për vullnetin e shprehur për pjesëmarrje në këtë aktivitet të rëndësishëm, që krijon mundësi të marrjes së njohurive të reja dhe të bashkëbisedës për të këmbyer përvoja për temat kyçe që shtjellohen në këto trajnime. Kryetari Jasharaj ka shprehur respekt meritor për trajnerët e angazhuar, të cilët po angazhohen maksimalisht për të arritur objektivat e këtyre trajnimeve. Ai ka përgëzuar edhe koordinatorin për organizim të brendshëm Ymer Ymeri dhe stafin qendror, që krahas angazhimeve të tjera , po punojnë me përkushtim në rrjedhën e mbarë të këtij aktiviteti.