Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës

Asgjë nga takimi i sotëm në MASHT

logo sbashkAsgjë nga takimi i sotëm në MASHT

Prishtinë 15.04.2019
Në takimin e thirrur nga Ministri i MASHT, Shyqiri Bytyqi ishin të pranishëm shumica e drejtorëve të Drejtorive Arsimore , përfaqësuesit e SBASHK-ut dhe ata të KMDLNJ-së. Ishin zhvilluar ca takime paraprake lidhur me çështjen e kompensimit të orëve të humbura gjatë grevës dhe SBASHK-u kishte dalë publikisht me propozimin e Këshillit Drejtues dhe te kryetarëve të niveleve sindikale komunale dhe të Universitetit se nëse bëhet angazhim i përbashkët dhe krijohen kushtet që në një seancë të jashtëzakonshëm te Parlamentit deputetët të votonin ndryshimin e koeficientit për mësuesit e ciklit klasor, të pedagogëve, psikologëve e sekretarëve nëpër shkolla me koeficientin e mësimdhënësve të Arsimit të Mesëm të Ulët, atëherë në shenjë solidarizimi me ta do të zgjatej viti shkollor për një javë.
Mirëpo në takimin e organizuar sot në MASHT Ministri i ka ikur kësaj dhe ka kërkuar që të kompensohen të gjitha ditët e humbura në grevë duke theksuar se këtë angazhim e përgjegjësi do ta bart te Drejtoritë Arsimore Komunale dhe drejtorët e shkollave. Në seancë janë zhvilluar debate dhe një pjese të delegacionit të SBASHK-ut është hezituar t'u epej fjala, me arsyetimin se po dihet qëndrimi i tyre, por ata kanë arritur ta thonë qartë se nëse bëhet angazhim i përbashkët dhe krijohen kushtet që në një seancë të jashtëzakonshëm te Parlamentit deputetët të votonin ndryshimin e koeficientit për mësuesit e ciklit klasor, të pedagogëve, psikologëve e e sekretarëve nëpër shkolla me koeficientin e mësimdhënësve të Arsimit të Mesëm të Ulët, atëherë në shenjë solidarizimi me ta do të zgjatej viti shkollor për një javë e nëse kjo nuk ndodh nuk do të ketë kompensim të as edhe një ore të humbur në grevë.
Tensionet në takim janë shtuar pas fjalës se drejtorit të DKA-së në Obiliq , i cili pa as edhe një argument ka thënë se greva nuk ishte e ligjshme dhe se për nisjen e grevës është dashur të konsultohej edhe ai. Kësaj i është kundërpërgjigjur me argumente nënkryetari i BSPK-së, prof. dr. Atdhe Hykolli duke sjellë edhe në këtë takim mbështetjen e plotë të Bashkimit të Sindikatave të Kosovës për SBASHK-un dhe duke e argumentuar se greva ishte legale dhe e ligjshme , ashtu si është i ligshim edhe vendimi i Këshillit Drejtues që të mos kompensohen orët e humbura në grevë ngase për këtë nuk i obligon grevistët ligji i grevave. Argumente shtesë për qëndrimin e drejtë të SBASHK-ut kanë dhënë edhe përfaqësuesi tjetër i SBASHK-ut, Rexhep Sadiku dhe nënkryetarja Vjollca Shala.
Duke parë se debati po merrte kahe tjetër përfaqësuesit e SBASHK-ut kanë lëshuar këtë takim duke përsëritur zërin e punëtorëve të arsimit. Ata u kanë thënë drejtorive arsimore që të mos marrin obligime që nuk u takojnë dhe të mos bëjnë presione te mësimdhënësit në komunat e tyre sepse mësimdhënësit meritojnë respekt e përkrahje e jo presione, të cilat po ndikojnë në pengimin e procesit të rregullt mësimor.
SBASHK publikisht i drejtohet ministrit Bytyqi që të fokusohet në problemet aktuale, që po rëndojnë sistemin arsimor dhe e dëmtojnë këtë sistem në periudhë afatgjatë shumë më tepër se mos zëvendësimi i ndonjë ore të humbur në grevë. Ministri dhe MASHT duhet të nisin me procesin e trajnimit të mësimdhënësve për kërkesat e kurikulit, të nxjerr Udhëzimin Administrativ për të nisur sa më parë implementimi i Ligjit për statutin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës , të angazhohet më shumë në mënyrë të krijohen kushte dhe programi në Fakultetin e Edukimit për të nisur avancimi i mësimdhënësve që janë të punësuar e që kanë 180 kredi, të thuhet se deri ku ka shquar çështja e teksteve të reja shkollore, që janë vonuar tani e dy vite dhe çështje të tjera shumë të rëndësishme.

Butoni posht