Vazhdon besimi dhe mbështetja për Fadil Halimin
Prishtinë,25.10.2021
Në ambientet e shkollës "Ibrahim Rugova" të Podujevës u mbajt Kuvendi zgjedhor i sindikatës së Arsimit Parauniversitar për këtë komunë. Në hapje të punimeve të këtij Kuvendi kryetari Fadil Halimi ka përshëndetur kryetarin e SBASHK-ut Rrahman Jasharaj dhe nënkryetaren Vjollca Shala duke i falënderuar që janë pjesë e këtij aktiviteti me rëndësi. Pas kësaj kryetari i SBASH-ut Jasharaj ka përshëndetur të pranishmit duke shprehur respektin për ta dhe punëtorët arsimor në Podujevë e gjithë Kosovën , që edhe pse në kushte të vështirësuara, kanë vazhduar me përkushtim misionin e tyre të shenjtë në edukimin e brezave. Jasharaj ka përgëzuar kryetarin Halimi, kryesinë dhe gjithë veprimtarët sindikal në këtë komunë për angazhimin, përkushtimin dhe unitetin e krijuar. Pas kësaj nënkryetarja e SBASHK-ut Vjollca Shala ka kujtuar çështje statutare që ndërlidhën me propozimet e kandidatëve për kryetar, nënkryetar, komision statutar, delegatë të Kongresit dhe përfaqësues në Këshillin Drejtues duke i vënë theks të veçantë në respektimin e barazisë gjinore dhe të kriereve të tjera të përcaktuara qartë në Statutin e SBASHK-ut.
Në pjesën e parë të punimeve kryetari i këtij Kuvendi Fadil Halimi ka prezantuar fillimisht raportin e punës për katër vite e pastaj edhe atë financiar. Pas një debati përmbajtjesor pjesëmarrësit kanë aprovuar të dy këto raportet duke përmendur se falë arritjeve të shumta numri i anëtarëve të SBASHK-ut në këktë komunë, si kudo në Kosovë, ka shënuar rritje të vazhdueshme.
Pas kësaj Kuvendi ka vazhduar punimet me procesin zgjedhor. Përmes votës së fshehtë anëtarët e këtij Kuvendi kanë dëshmuar se vazhdojnë me besimin dhe mbështetjen për Fadil Halimin duke e zgjedhur edhe për një mandat. Po ashtu me votë të fshehtë nënkryetare është zgjedhur Lumnije Tahiri. Procesi i kandidimeve dhe votimit të fshehtë ka vazhdar dhe janë zgjedhur pesë anëtarë të kryesisë, Komisioni mbikëqyrës, delegatët nga kjo komunë për Kongresin e SBASHK-ut dhe përfaqësuesit në Këshillin Drejtues.
Në përfundim të procesit zgjedhor kryetari Halimi ka falënderuar Komisionin zgjedhor për punën dhe angazhimin korrekt dhe pastaj është shprehur i nderuar për besimin dhe mbështetjen e dhënë duke premtuar se do të vazhdojë bashkë me kryesinë angazhimet dhe në bashkëpunim e koordinim të aktiviteteve me nivelin qendror do të vazhdojnë të jenë zë i të punësuare në arsimin e kësaj komune.
Në pauza të këtij aktiviteti shumë nga pjesëmarrësit kanë bashkëbiseduar me kryetarin Jasharaj duke bërë edhe foto të rastit dhe duke shprehur respektin meritor për të e stafin qendror në gjithë këtë rrugëtim të suksesshëm të SBASHK-ut në realizimin e kërkesave legjitime të anëtarësisë. Në një atmosferë festive pjesëmarrësit e këtij Kuvendi kanë dhënë propozimin që duke respektuar gjithë angazhimin e përkushtimin e kryetarit Jasharaj ai ta ketë besimin e plotë dhe mbështetjen që në Kongesin e radhës të votohet e të gjedhet edhe për një mandat në krye të SBASHK-ut.
Jasharaj është shprehur i nderuar me përkrahjen e mbështetjen që ka marrë nga sindikalistët kudo në komunat e Kosovës dhe tani edhe nga anëtarët e Kuvendit të sindikatës së Arsimit Parauniveriatar të Podujevës duke premtuar se i ndihmuar nga stafi qendror dhe me mbështetjen e sindikalistëve të arsimit nga e tërë Kosova do të vazhdojë me angazhimet në rrugëtimin e suksesshëm të SBASHK-ut drejt realizimit të objektivave dhe kërkesave legjitime të anëtarësisë.
Prishtinë,21.10.2021
Përfaqësuesit e SBASHK-ut janë takuar me Ministren Nagavci për t'i përcjellë asaj kërkesën e shumë mësimdhënësve nga e tërë Kosova, që pas situatës shumë më të qetë me pandeminë, të normalizohet në tërësi procesi mësimor. Kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj dhe koordinatori për organizim të brendshëm Ymer Ymeri i kanë prezantuar këtë kërkesë Ministres së MASHTI-t duke e argumentuar me faktin se situata me pandeminë është përmirësuar dukshëm dhe se janë krijuar kushtet që arsimit në Kosovë t'i kthehet në tërësi normaliteti duke nënkuptuar që paralelet e ndara në grupe të bashkohen prapë dhe orët mësimore të jenë në kohëzgjatjen e duhur. Përfaqësuesit e SBASHK-ut kanë treguar në këtë takim se edhe Shqipëria, Maqedonia e Veriut e shtete të tjera e kanë normalizuar në tërësi procesin mësimor duke vazhduar me respektimin e masave mbrojtëse.
Ministrja e MASHTI-t Arbërie Nagavci është shprehur se edhe ajo ka qëndrim të njëjtë lidhur me këtë çështje dhe prandaj përkrah këtë propozim dhe se në takimet e komunikimin me Ministrinë e Shëndetësisë dhe institucionet tjera gjegjëse do të kërkoj që të aprovohet ky propozim me qëllim që në kohën më të shkurtër të mundshme të merret vendimi për normalizimin e plotë të procesit mësimor me zotimin se të gjitha palët të vazhdojnë me angazhimin, kujdesin dhe përkushtimin për ruajtjen e gjendjes së qetë e të favorshme në institucionet arsimore.
SBASHK në Shkup, Prishtinë , Obiliq e Kamenicë
Prishtinë, 15.10.2021
Edhe java që po lëmë pas ka shënuar shumë aktivitete të SBASHK-ut nëpër komuna të Kosovës por edhe në nivelin ndërkombëtar. Kështu kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj bashkë me koordinatorin për organizim të brendshëm Ymer Ymeri në fillim të kësaj jave iu përgjigjën ftesës së Sindikatës së Arsimit të Maqedonisë së Veriut duke marrë pjesë në Kongresin e tyre. Gjatë kësaj kohe ky delegacion është takuar me përfaqësues të shumë sindikatave nga shtete të ndryshme, që po merrnin pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme për arsimin e Maqedonisë. Ata kanë zhvilluar një takim përmbajtjesor edhe me kryetarin e Sindikatës maqedonase të arsimit Joakim Nedelkov, të cilin e kanë përgëzuar për rizgjedhjen dhe të dy palët janë shprehur se do të vazhdojnë bashkëpunimin.
Po këtë javë është zhvilluar një aktivitet i dendur zgjedhor brenda SBASHK-ut. Të enjten janë mbajtur Kuvendet zgjedhore të Sindikatës së Arsimit Parauniversitar për të Prishtinës dhe Obliqit.
Kuvendin zgjedhor në Prishtinë e ka shpallur të hapur kryetari Ahmet Plllana , i cili ka falënderuar Qendrën e studentëve për mundësinë që ky aktivitet të zhvillohet në sallën e takimeve. Ai po ashtu ka shprehur gjithë respektin meritor për kryetarin Jasharaj , nënkryetaren Shala, koordinatorin Ymeri dhe stafin qendror , që ka bërë e po bën vazhdimisht angazhime të jashtëzakonshme në shërbim të anëtarësisë. Kryetari i SBASHK-ut ka përgëzuar pjesëmarrësit dhe ka shprehur respekt për angazhimet e shumta dhe kontributin e kolegut Pllana në rrjedhën e mbarë të aktivitetit sindikal në kryeqytet.
Pas leximit dhe aprovimit të raportit të punës dhe atij financiar është filluar me procesin zgjedhor. Për të pasur rrjedhë të mbarë procesi zgjedhor sqarime të duhura ka dhënë koordinatori për organizim të brendshëm Ymer Ymeri. Pjesëmarrësit e këtij Kuvendi me vota të fshehta i kanë shprehur besimin edhe për një mandat Ahmet Planës duke shprehur kështu respektin për angazhimet e tij të dhe të kryesisë së kësaj komune. Janë zgjedhur edhe organet tjera të këtij Kuvendi , delegatët për Kongresin e SBASHK dhe anëtarët e Këshillit Drejtues. Edhe Ky Kuvend duke vlerësuar angazhimin dhe përkushtimin e kryetarit Jasharaj janë shprehur se e kandidojnë atë edhe për një mandat për kryetar të SBASHK-ut.
Kuvend zgjedhor po të enjten është mbjajtur edhe n komunën e Obliqit. Pjesëmarrës në këtë takim kanë qenë edhe nënkryetarja Vollca Shala dhe zyrtari ligjor Blendor Shatri. Ata kanë përshëndetur pjesëmarërsit dhe i kanë dëshiruar punë të mbarë këtij Kuvendi. Kryetarja e këtij Kuvendi Luljeta Boshnjaku ka prezantuar raportin e punës dhe atë financiar, që janë aprovuar nga të pranishmit . Pas kësaj është kaluar në procesin zgjedhor. Përmes votës së fshehtë është rizgjedhur kryetare Luljeta Boshnjaku, ndërsa nënkryetar Selman Fazliu. Janë zgjedhur edhe anëtarët e kryesisë, Komisioni mbikëqyrës dhe delegatet e Kongresit dhe anëtarët e Këshillit Drejtues nga kjo komunë.
Aktivitetet e SBASHK-ut janë përmbyllur për këtë javë me Kuvendin zgjedhor në Kamenicë. Pjesë e këtij takimi ishin edhe kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj dhe koordinatori për organizim të brendshëm Ymer Ymeri. Kryetari i këtij Kuvendi Nazim Jakupi ka prezantuar raportin e punës dhe atë financiar që janë aprovuar nga të pranishmit. Këtë Kuvend e kanë përshëndetur kryetari Jasharaj dhe koordinatori për organizim të brendshëm Ymeri, i cili edhe ka dhënë sqarime për rrjedhën e procesit zgjedhor . Me votën e fhehtë Kuvendi ka zgjedhur kryetar Lulzim Thaçin, ndërsa nënkryetare Mensure Morinën. PO ashtu përmes votës së fshehtë janë zgjedhur edhe anëtarët e kryesisë, Komisioni mbikëqyrës , delegatët e Kongresit dhe përfaqësuesit në Këshillin Drejtues. Edhe ky Kuvend njëzëri ka kandiduar edh për një mandat kryetarin e tashëm të SBASHK-ut Rrahman Jasharaj.
Kryetar i ri Nazim Gashi, kryetar nderi Murat Bytyqi
Prishtinë,12.10.2021
Në ambientet e Shkollës së mesme profesionale "Avdyl Rama" ishin bërë gjithë përgatitjet për mbajtjen e Kuvendit zgjedhor të sindikatës së Arsimit Parauniveristar për komunën e Suharekës. Para fillimit të këtij takimi kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj dhe koordinatori për organizim të brendshëm Ymer Ymeri të shoqëruar nga kryetari i sindikatës për Suharekën Murat Bytyqi dhe kryetar nderi Sadik Shala janë pritur nga drejtori i këtij institucioni arsimor Destan Berisha. Drejtori Berisha ka shprehur respekt meritor për gjithë angazhimet, përkushtimin dhe arritjet e SBASHK-ut e pastaj ka informuar mysafirët për rrjedhën e procesit mësimor në këtë institucion të dalluar arsimor. Ai ka vlerësuar lart angazhimin e gjithë personelit mësimor dhe të punësuarve tjerë këtu, të cilët me angazhime të vazhdueshme kanë bërë që të shënohen rezultate të mira në edukimin dhe arsimimin e brezave. Kryetari Jasharaj dhe mysafirët tjerë kanë përgëzuar drejtorin për angazhimin, përkushtimin dhe arritjet në realizimin e misionit të shenjtë në edukimin e arsimimin e brezave dhe për përkrahjen e vazhdueshme dhënë aktiviteteve të SBASHK-ut në këtë komunë.
Pas kësaj ka filluar Kuvendi zgjedhor me fjalën përshëndetëse të kryetarit Murat Bytyqi. Ai ka përshëndetur pjesëmarrësit dhe në emër të tyre ka falënderuar kryetarin Jasharaj , koordinatorin për organizim të brendshëm Ymerin për praninë në këtë takim duke shprehur respekt meritor për gjithë angazhimet, përkushtimin dhe arritjet në shërbim të realizimit të kërkesave të anëtarësisë. Ai pastaj me ndihmën e pjesëmarrësve ka zgjedhur kryesinë e punës dhe komisionet gjegjëse për të vazhduar pastaj me shpalosjen e raportit të punës dhe atij financiar. Raporti i punuar me kujdes ka kthyer kujtesën në shumë nga angazhimet , sfidat dhe arritjet sindikale në katër vitet e shkuara është aprovuar nga të pranishmit. Pjesëmarrësit kanë aprovuar edhe raportin financiar e pas kësj është kaluar në procesin zgjedhor.
Për të pasur rrjedhë të mbarë ky proces dhe me qëllim që të respektohet në tërësi Statuti i SBASHK-ut koordinatori për organizim të brendshëm Ymer Ymeri ka dhënë sqarimet e duhura. Në një garë mes dy e më shumë kandidatëve e me votë të fshehtë kryetar i ri i këtij Kuvendi është zgjedhur Nazim Gashi, ndërsa nënkryetare Bahrije Elshani. Po ashtu janë zgjedhur edhe 7 anëtarë të kryesisë, Komisioni mbikëqyrës, delegatët për Kongres dhe përfaqësuesit e kësaj komune në Këshillin Drejtues të SBASHK-ut.
Duke vlerësuar lart angazhimin dhe kontributin në aktivitete sindikale Kuvendi ka shpallur kryetar nderi Murat Bytyqin. Ky Kuvend njëzëri ka vendosur që duke respektuar lart përkushtimin dhe angazhimin e kryetarit të SBASHK-ut Rrahman Jasharaj ta propozoj atë për kryetar edhe në mandatin e radhës. Jasharaj është shprehur se ndjehet i nderuar me besimin dhe përkrahjen nga pjesëmarrësit e këtij takimi duke u shprehur se bazuar në mbështetjen dhe përkrahjen e vazhdueshme të koordinatorit për organizim të brendshëm Ymer Ymeri, stafit qendror dhe kryetarëve të nivelit komunal sindikal e të Universiteteve do të vazhdojmë rrugëtimin drejt arritjeve të reja.
Respekt meritor për SBASHK-un dhe Blerim Mehmetin
Prishtinë, 11.10.2021
Në ambientet e shkollës "Selami Hallaqi" të dielën e 10 tetorit është mbajtur Kuvendi zgjedhor i sindikatës së Arsimit Parauniveristar të Gjilanit.
Kryetari i këtij kuvendi Blerim Mehmeti ka falënderuar pjesëmarrësit e këtij takimi, që edhe pse është e diel, kanë ardhur për të kontribuar në rrjedhën e mbarë të këtij takimi. Ai pastaj ka përshëndetur kryetarin Rrahman Jasharaj dhe koordinatorin për organizim të brendshëm Ymeri Ymeri duke i përgëzuar për gjithë angazhimet dhe arritjet në shërbim të anëtarësisë. Në fjalën përshëndetëse kryetari i SBASHK-ut ka përgëzuar koleget e kolegët nga kjo komunë për angazhimin në misionin e shenjtë të arsimit dhe edukimit të brezave dhe për unitetin e dëshmuar përballë shumë sfidave. Ai pastaj ka deklaruar se është krenar që ka punuar bashkë me Blerimin dhe koleget e kolegët tjerë në shërbim të anët resisë. Pas kësaj kryetari Mehmeti ka prezantuar Raportin e punës dhe atë financiar, që ishin punuar në mënyrë të qartë e të kujdesshme. Pjesëmarrësit kanë debatuar për këto dy raporte duke shprehur respekt për angazhimet dhe arritjet. " Falë angazhimit, unitetit e përkushtimit të nivelit qendror, të kryetarit Jasharaj, stafit qendror, por edhe të kryetarit, kryesisë dhe gjithë anëtarësisë këtu janë shënuar arritje të shumta dhe janë shënuar arritje të shumta dhe është mbrojtur figura e mësuesit ", është shprehur përfaqësuesi i shkollës "Thimi Mitko", Idriz Ramadani. Vlerësime të tilla janë dëgjuar edhe nga pjesëmarrës të tjerë. Në pjesën e dytë të punimeve të këtij Kuvendi është filluar me procesin e zgjedhjeve.
Me qëllim që ky proces të ketë rrjedhë të mbarë dhe të respektohet në tërësi Statuti, sqarime ka dhënë koordinatori për organizim të brendshëm Ymer Ymeri pastaj është filluar me propozimet për kryetar, nënkryetar, anëtarë të kryesisë, anëtarë të Komisionit mbikëqyrës, delegat për Kongresin dhe për përfaqësues nga Gjilani në Këshillin Drejtues të SBASHK-ut. Pas përmbylljes së procesit të votimit pjesëmarrësit përmes votës së fshehtë kanë dëshmuar se vlerësojnë angazhimin dhe përkushtimin e kryetarit Blerim Mehmetit dhe prandaj i kanë dhënë besimin edhe për një mandat, ndërsa nënkryetare është zgjedhur Ibadete Limoni. Po ashtu përmes votës së fshehtë janë zgjedhur edhe kryesia e këtij Kuvendi, Komisioni mbikëqyrës, delegatët nga kjo komunë për Kongresin e SBASHK-ut dhe anëtarët e Këshillit Drejtues.
Kryetari Mehmeti ka falënderuar pjesëmarrësit për besimin dhe respektin dhe ka premtuar se do të vazhdojë bashkë me kryesinë angazhimet në shërbim të anëtarësisë . Të pranishmit para përmbylljes së punimeve të këtij Kuvendi kanë aprovuar me duartrokitje propozimin që , bazuar në angazhimet dhe përfaqësimin e denjë të kërkesave legjitime të anëtarësisë të mbështet kandidaturën e Rrahman Jasharajt për kryetar të SBASHK-ut edhe në mandatin e radhës. Jasharaj është shprehur se ndjehet krenar për këtë përkrahje dhe se do të vazhdojë bashkë me gjithë koleget e kolegët kudo janë angazhimet për rrugëtimin me plot arritje e suksese të SBASHK-ut pavarësisht sfidave të shumta të kohës.
Prishtinë,08.10.2021
Përpilimi dhe përgatitja e Ligjit të pagave ishte shoqëruar me debate të nxehta mes institucioneve dhe disa prej sindikatave dhe nuk munguan as protestat e grevat. Ligji u formësua pas shumë takimeve e angazhimeve dhe kaloi edhe nëpër Komisione parlamentare dhe në vet Parlamentin e Kosovës. Pjesa më e madhe e të punësuarve në shërbimet publike filluan të frymojnë më lirshëm dhe pritnin të shohin implementimin e këtij ligji dhe efektet e tij.
Mirëpo Avokati i popullit e dërgoi në Kushtetuese dhe organi më i lartë i drejtësisë pas dy pezullimeve kishte vendosur që ta shfuqizojë në tërësi këtë ligj, pra që ta kthej te institucionet me rekomandimet që ata të përmirësojnë gabimet e bëra dhe ta procedojnë tutje. Kushtetuesja nuk kishte thënë se ky ligj nuk duhej bërë kurrë dhe prandaj pjesa më e madhe e të punësuarve në sektorin publik, pra në arsim, shëndetësi, polici, zjarrfikësit, administrata dhe të tjerë shprehur zhgënjimin ndaj kësaj që ndodhi, por i mbante shpresa se Qeveria do të formojë komisionin gjegjës në bashkëpunim me sindikatat dhe do të nisin përmirësimet e kërkuara nga Kushtetuesja.
Mirëpo ka kaluar më shumë se një vit nga vendimi i Kushtetueses dhe bazuar në realitetin shihet se Qeveria dhe gjithë institucionet gjegjëse, me apo pa qëllim, e kanë harruar fare Ligjin e pagave dhe ky veprim i tyre dhe mungesa e gatishmërisë për dialog me sindikatat krijon pakënaqësi, që vazhdon të shtohen, dhe kjo do të bëj që të kthehen protestat dhe grevat, të cilat SBASHK-u e as sindikatat tjera nuk i dëshirojnë, por do të veprojnë në bazë të kërkesave të anëtarësisë sepse ky është obligim i tyre.
Prishtinë, 05.10.2021
Mësuesi shqiptar në Kosovë, Shqipëri e kudo në trojet tjera me krenari festojnë 7 Marsin, ditën e shkollës shqipe, por falë angazhimit nëpër vite e dekada SBASHK-u është bërë anëtare e Internacionales së Arsimit dhe e Komitetit të Sindikatave të Arsimit të Evropës dhe për vite me radhë bashkë me miliona kolegë nga e tërë Evropa dhe bota me aktivitete të ndryshme ka shënuar edhe 5 Tetorin si ditë botërore të mësuesit.
Në këtë 5 tetor përfaqësues të SBASHK-ut bashkë me kolegët e tyre nga shtetet e Evropës janë në Bruksel në një Konferencë duke debatuar e duke përgatitur një plan strategjik të angazhimit të përbashkët në shërbim të arsimit dhe të forcimit të zërit sindikal, ndërsa kolegët tjerë kudo janë kujtojnë këtë ditë duke lartësuar kujtimin për koleget e kolegët tanë që nuk janë më mes nesh e pastaj i bashkohen lutjes dhe shprehin urimin që bota ta mposhtë pandeminë dhe sindikatat duke mbështetur njëra tjetrën e duke pasur përkrahje nga Internacionalja e Arsimit dhe nga Komiteti i Sindikatave të Evropës të vazhdojnë rrugëtimin e vështirë e me plotë sfida për të realizuar misionin e tyre për arsimimin dhe edukimin e brezave, por edhe në realizimin e kërkesave të anëtarësisë. "Së bashku ne nderojmë mësuesit që kemi humbur gjatë pandemisë COVID, kujtojmë jetën dhe trashëgiminë e tyre, dhe rekomandojmë që kushtet e sigurta të punës dhe barazia e vaksinave të bëhen realitet për të gjithë globin." – u është drejtuar sindikatave anëtare Sekretari i përgjithshëm i Internacionales Botërore të Arsimit David Edvards
SBASHK-u ka qenë shembull i mirë i angazhimit e arritjeve në këtë mision dhe prandaj me plot krenari ua uron anëtarësisë, por edhe gjithë kolegeve e kolegëve tanë në Ballkan, Evropë e botë ditën botërore të mësuesit.
Mësimdhënësit dhe nxënësit në përballje të sfidave të shumta të kohës
Prishtinë, 04.10.2021
Në shtëpinë e sindikatave ndërkombëtare në Bruksel është duke u mbajtur Konferencë dy ditore në të cilën marrin pjesë përfaqësues nga të gjitha sindikatat anëtare të Komitetit të Sindikatave të Arsimit të Evropës (ETUCE). Në këtë ngjarje të veçantë për arsimin në Evropë merr pjesë edhe SBASHK-u i përfaqësuar nga nënkryetarja Vjollca Shala dhe koordinatori për organizim të brendshëm Ymer Ymeri. Pjesëmarrësit kanë dëgjuar në fillim paraqitjen dhe mesazhin për gjithë sindikatat të kryetarit të ETUCE-s , Larry Flanagan dhe të drejtores së përgjithshme Suzan Flocken. Ata janë ndalur te tema kyçe e kësaj Konference që është gjithë-përfshirja, diversiteti dhe sfidat e shumta me të cilat vazhdojnë të përballën nxënësit dhe punëtorët arsimor. Në sesione të grupeve punese dhe në seanca plenare do të angazhohen dhe Konferenca do të miratojë strategjinë konkrete për zbatimin e planit të veprimit të ETUCE duke veçuar se për të arritur arsimim gjithëpërfshirës në të gjitha shkollat, qeveritë duhet siguruar financim të qëndrueshëm publik, ambient të sigurt pune dhe pagë e mirë si dhe dialog të mirëfilltë social mes sindikatave dhe institucioneve në nivelin lokal e qendror. Në debatin e zhvilluar është thënë se në shoqëritë gjithnjë e më të larmishme të Evropës është jetike të sigurohet barazi dhe përfshirje në arsim.
Nevoja për të përqafuar diversitetin në arsim po merr gjithnjë e më shumë vëmendje politike në nivel evropian. Sidoqoftë, hulumtimi i ETUCE tregon se mësuesit dhe personeli tjetër arsimor nuk ndihen të përgatitur dhe të mbështetur për të mësuar studentët nga prejardhje të ndryshme socio -ekonomike, kulturore dhe gjuhësore .Këto dyshime shpesh burojnë nga mungesa e trajnimit përkatës dhe praktik të mësuesve se si të krijohen mjedise gjithëpërfshirëse të mësimdhënies dhe mësimit. Personeli arsimor dhe drejtuesit e shkollave gjithashtu përballen me mungesën e mbështetjes për përfshirjen, siç janë asistentët mësimdhënës ose ndërmjetësuesit ndërkulturorë. Kjo Konferencë do të miratojë në fund të punimeve të saj Strategjinë për angazhime e veprim, e cila do të jetë bazë e mirë e angazhimeve të gjithë sindikatave të arsimit të Evropës në përballje me sfidat e kohës.
Prishtinë,28.09.2021
Për të vlerësuar se si ka nisur viti i ri shkollor SBASHK ka mbajtur në mbrëmjen e së hënës takimin nga larg me kryetarët e nivelit komunal sindikal. Pjesëmarrësit e këtij takimi kanë dhënë vlerësime lidhur me fillimin e vitit të ri shkollor në komunat e tyre duke u shprehur se ishte një fillim i suksesshëm dhe se punëtorët arsimor do të angazhohen me përkushtim për rrjedhën e mbarë të vitit të ri shkollor.
Pas kësaj kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj ka informuar pjesëmarrësit lidhur me takimin me zv/ministrin Dukagjin Popovci duke veçuar se temë kyçe e bisedës ka qenë përgatitja për fillimin e vitit të ri shkollor. SBASHK edhe në këtë takim kishte insistuar që të bëhet një zgjidhje e pranueshme për punëtorët me sëmundje të rënda, e pasi nuk është marrë përgjigje meritore, SBASHK-u i drejtohet Kryeministrit Kurti me kërkesën që Qeveria e Kosovës ta vë në rend dite këtë çështje dhe të sjell vendim që punëtorët arsimor me sëmundje të rënda të lirohen nga obligimi për të shkuar në punë, të mbesin në listat e pagave dhe në vend të tyre të angazhohen kuadro të reja. SBASHK-u ende nuk ka marrë përgjigje nga Qeveria e Kosovës dhe prandaj kryetarët e nivelit komunal sindikal në takimin e së hënës vendosen që t'i drejtohen publikisht Kryeministrit Kurti dhe Qeverisë që të angazhohet për zgjidhjen e kësaj çështjeje duke konsideruar se ky është edhe obligim moral e njerëzor i Qeverisë për këtë njerëz, që edhe pse përballën me sëmundje tepër të rënda, detyrohen të paraqiten në punë për ta ruajtur kafshatën e gojës për ta dhe fëmijët e tyre sepse, edhe përkundër dëshirës e angazhimit ata nuk mund të jenë në nivelin e duhur të detyrës së punëtorit arsimor.
Prishtinë,27.09.2021
Të nderuar punëtorë të arsimit, kolege e kolegë, anëtarë të SBASHK-ut, urime fillimi i vitit të ri shkollor. Do jetë një rrugëtim i vështirë ky në përpjekjet për realizimin e misionit tonë të shenjtë për arsimimin dhe edukimin e brezave, por ne edhe në të kaluarën jemi përballur me sfida dhe falë përkushtimit e gatishmërisë për sakrifica tona sublime kemi bërë që drita të triumfojë dhe ta mund errësirën.
Ju falënderojmë që dëgjuat apelin e SBASHK-ut dhe u vaksinuat, ju përgëzojmë për gatishmërinë e treguar edhe para 1 shatorit për të nisur me vitin e ri shkollor dhe ju premtojmë se do të vazhdojmë të jemi zëri juaj, do të angazhohemi në shërbimin tuaj dhe do të bëjmë gjithë angazhimet për realizimin e kërkesave tuaja legjitime.
Edhe sot kur po nisim me betejën për dituri të reja, kujtojmë për të satën herë MASHTI-n dhe Qeverinë e Kosovës se është obligim i tyre moral e njerëzor që të bëjnë zgjidhje konkrete veçmas për punëtorët e arsimit me sëmundje të rënda në mënyrë që ata të marrin paga e të jenë të liruar nga procesi mësimor deri në një zgjidhje afatgjatë për ta. Këta punëtorë arsimorë me vite e dekada janë angazhuar aq sa kanë mundur e kanë ditur në arsimimin e brezave, por sëmundja e ka bërë të vetën dhe ata, edhe pse duan, nuk mund të jenë në krye të detyrës. Ata meritojnë zgjidhje të pranueshme dhe prandaj SBASHK-u apelon te MASHTI dhe Qeveria që ta bëjnë një zgjidhje të tillë.
Suksese në vitin e ri shkollor. Sot e gjithmonë bashkë e në SBASHK.
Edhe kolegët tanë nga komuniteti turk respekt meritor për SBASHK-un
Prishtinë,24.09.2021
Tetë trajnimet e licencuara të SBASHK-ut vazhdojnë të zgjojnë interesim të madh mes mësimdhënësve kudo në Kosovë. Kjo vërehet edhe në të premten e 24 shtatorit, kur po nisin me aktivitetin mësimdhënës të ndarë në 11 grupe në trajnimet e zgjedhura sipas vullnetit të tyre. Kolegët tanë të angazhuar në trajnimin ."Udhëheqja dhe planifikimi strategjik në Arsimin Parauniversitar" me trajnerin Hysen Sogojeva dhe ata në trajnimet "Mësimdhënia e gjuhës dhe letërsisë shqipe për ciklin fillor dhe të mesëm" me trajnerë Pranvera Haziri, "Edukimi medial dhe roli i tij ne zhvillimin shoqëror dhe demokratik" me trajnerin Faton Ismajli i ka përshëndetur nënkryetarja Vjollca Shala duke bashkëbiseduar me ta dhe duke u përgjigjur në pyetjet e tyre. Pas kësaj nënkryetarja është kyçur dhe ka bashkëbiseduar edhe me koleget e kolegët tanë në trajnimet "Roli i aktiviteteve kreative në mësimdhënie dhe zbatimi i tyre në shkollat fillore", që po udhëhiqen nga trajnerët Ahiret Mehmeti e Osman Rrustemi dhe trajnerja Zahide Hamiti Krasniqi dhe me grupin e trajnimit formuar nga kolegët tanë nga komuniteti turk , që udhëhiqet nga veprimtarja sindikale e trajnerja Esyngyl Dinovci. Në orët e pasdites së të premtes në marrëveshje me pjesëmarrësit janë caktuar trajnimet "Forcimi I kapaciteteve për udhëheqjen efektive të dialogut social', udhëhequr nga trajneri Blendor Shatri , trajnimi "Edukimi dhe menaxhimi mjedisor dhe zbatimi i tyre në shkollat fillore" me trajnerin Agim Hasani dhe trajnimi "Udhëheqja dhe planifikimi strategjik në Arsimin Parauniversitar" me trajnerin Safet Beqiri.
Me pjesëmarrësit e këtyre trajnimeve kanë bashkëbiseduar edhe kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj dhe koordinatori për organizim të brendshëm Ymer Ymeri. Kryetari Jasharaj ka përgëzuar pjesëmarrësit e këtyre trajnimeve për vullnetin e treguar për të qenë pjesë e këtij aktiviteti. Ai duke bashkëbiseduar me kolegët tanë nga komuniteti turk i ka përgëzuar ata për gjithë angazhimet dhe unitetin e treguar në SBASHK dhe ka shprehur respekt meritor për veprimtaren dhe trajneren Esynyl Dinovci , e cila është shembull i shkëlqyer i angazhimit edhe si sindikaliste edhe si trajnere dhe ka merita që edhe kolegët tanë nga komuniteti turk janë të angazhuar në të gjitha aktivitetet e SBASHK-ut. Kryetari Jasharaj dhe koordinatori për organizim të brendshëm Ymer Ymeri bashkë me kryetarin e nivelit komunal sindikal për Prishtinën Ahmet Pllana kanë vizituar edhe shkollën "Shtjefën Gjeqovi " për të bashkëbiseduar me pjesëmarrësit e trajnimit "Aplikimi i programeve kompjuterike në mësimdhënie" . Kryetari Jasharaj ka përgëzuar pjesëmarrësit e këtij aktiviteti dhe trajnerin Berisha për gjithë angazhimin e përkushtimin. Ai edhe kësaj radhe ka kujtuar se është koordinatori për organizim të brendshëm Ymer Ymeri dhe stafi qendror , që përveç shumë angazhimeve në detyrat ditore, po vazhdojnë me përkushtimin duke bërë që trajnimet të kenë rrjedhë të mbarë. Koordinatori Ymer Ymeri duke vazhduar bashkëbisedën me pjesëmarrësit ka dhënë shpjegime lidhur me rrjedhën e trajnimeve dhe u është përgjigjur edhe pyetjeve të pjesëmarrësve. Këto trajnimeve do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim për të realizuar në tërësi objektivat e këtij aktiviteti.