Organizimi i SBASHK –ut.


SBASHK-u ka një organizim të mirë nga niveli lokal deri në nivelin qendror. Fillon me shoqatën sindikale( një shkollë, një shoqatë),me punën e së cilës udhëheq kryetari dhe kryesia. Kryetarët e shoqatave në nivel komune formojnë Kuvendin e sindikatave komunale. Kryetarët e kuvendeve komunale formojnë Këshillin e Përgjithshëm të SBASHK-ut, i cili është organi më i lartë në mes të dy Kongreseve. Kongresi është organi më i lartë dhe mbahet një herë në katër vjet. Kryesia e SBASHK-ut përbëhet prej nëntë anëtarëve dhe është organ ekzekutiv.

SBASHK-u bashkëpunon me shumë organizata sindikale vendore dhe ndërkombëtare, në mesin e të cilave përmendim : EI, NOVIB, AOB, GEW, AFT, NL (Norvegjia), Shqipëria,Maqedonia, Bosnja, Sllovenia, Kroacia etj. Gjithashtu SBASHK-u ka vënë raporte bashkëpunimi me sindikatën e arsimtarëve serb që jetojnë në Kosovë e quajtur SOK. Bashkëpunimi në të mirë të integrimit të këtij komuniteti po thellohet, ku SBASHK-u dhe SOK-u janë nënshkruese të Projektit Multi-Etnik Sindikal në Prishtinë, donacion i FNV-së ,MASHT-it ,Drejtorisë arsimore të Prishtinës dhe donatorë që do të ofrojnë mbështetje në afat më të gjatë .Implementimi i këtij projekti me vlerë ka filluar në Shtator 2009 dhe akoma vazhdon. Përveç aktivitetit sindikal si organizatë jo-fitimprurëse, SBASHK-u duke e parë nevojën e ndryshimit pozitiv të sistemit të arsimit është angazhuar edhe në Aftësimin Profesional të mësimdhënësve.

Është nismëtar i reformave dhe reformimit të sistemit arsimor në Kosovë. Trajnimin e parë ose më mirë të themi, aftësimin e parë profesional e ka filluar me projektin “Ndryshimi i raportit nxënës-mësimdhënës’’ i cili u realizua brenda nëntë muajve në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të Kosovës. Veçojmë edhe programin e rehabilitimit psiko-social me mësuesit e traumatizuar. SBASHK-u dhe KEC-i organizuan dhe realizuan projektin e përbashkët “Fuqizimi i shoqërisë civile në Kosove” mbështetur nga Bashkimi Evropian, nëpër të cilin trajnim kaluan 500 mësimdhënës të Kosovës. Trajnerët e SBASHK-ut realizuan seminarin me temën: “Avokimi për Politika” që zgjoi interesim të veçantë te mësimdhënësit.

Tani është në proces Aftësimi Profesional në Informatikë ECDL, i cili suksesshëm është duke u realizuar në këto qendra: Prishtinë, Lipjan, Kaçanik, Kamenicë, Suharekë, Drenas, Pejë, Deçan dhe Gjakovë në të cilin program janë aftësuar mbi 2.000 mësimdhënës.

Një nga sukseset e SBASHK-ut konsiderojmë negocimin e suksesshëm në planin e sigurimit të mirëqenies ekonomike,duke siguruar sistem të pagave të diferencuara sipas përgatitjes profesionale dhe vjetërsisë në punë. Edhe pse pagat e mësimdhënësve në vitin 2011 kanë lëvizur në mënyrë substanciale, mbetet të punohet akoma më shumë me qëllim që të krijohet vërtetë një sistem që prodhon vlera dhe i vlerësuar ndërkombëtarisht.

Developed by Gezim Sejdiu
copyright © 2011