VIZIONI   I SBASHK-ut  PËR   NJË   ARSIM MODERN   E CILËSOR

 

            Dituria e fituar në shkolla apo arsimimi dhe edukimi i rinisë në institucione arsimore parauniversitare dhe universitare është vendi apo mjeti kryesor për zhvillimin e një shteti. Shekulli 21 kërkon një arsim të avancuar, permanent e dinjitoz, sepse është i ballafaquar me devijime të ndryshme të rinisë për shkak: drogës, prostitucionit, largimit nga shkolla, jetës dinamike të natës ( sidomos në vendet urbane), zhvillimit të internetit etj. Këto probleme i kanë të gjitha shtetet e botës, që do të thotë edhe Kosova si shteti i ri dhe me jo me  ndonjë përvojë të madhe në këtë drejtim. Prandaj, para shoqërisë kosovare shtrohen detyra dhe angazhim i vazhdueshëm maksimal për luftimin e këtyre dukurive. SBASHK-u duhet të jap një kontribut dhe konsideron se me angazhimin maksimal të punonjësve të arsimit, prindërve dhe vetë nxënësve mund të arrihet shumë në këtë drejtim.

           Kapaciteti  i një shoqërie bashkëkohore i një shteti nga aspekti i zhvillimit, riprodhimit dhe inovatitetit varet nga burimet njerëzore që i prodhon shoqëria. Shteti i Kosovës për të prodhuar burime njerëzore referente me vendet tjera duhet zhvilluar një arsim cilësor që ballafaqohet me sfidat e kohës. Për t`i sfiduar të gjitha vështirësitë e problemet që paraqiten duhet pasur dije, fuqi e vullnet për të bërë ndryshime , sepse nuk ka zgjidhje të lehta, të dëshirueshme e të shpejta për një zhvillim të drejt të arsimit. Për të bërë këto ndryshime shoqëria kosovare ( e sidomos MASHT-i) duhet pas kapacitet njerëzor e material për të artikuluar një vizion të qartë për zhvillimin e arsimit në shekullin që jetojmë. Shtrohet pyetja: A mundet vetëm MASHT-i t’i zgjidhë të gjitha kërkesat dhe problemet e grumbulluara për zhvillimin e arsimit në Kosovë? Mendojmë se jo, dhe në këtë drejtim duhet angazhohet e tërë shoqëria, respektivisht të gjithë faktorët relevant të lidhur me zhvillimin e shoqërisë.

            Në vitet e 90-ta në Kosovë diktaturën komuniste dhe aleatet e saj si lidhja socialiste dhe lidhja e sindikatës së asaj kohe së ish Jugosllavisë, po i linin vendin formimit te Bashkimit të Sindikatave të lira të Kosovës. Me këtë rast u formua dhe funksionoi sindikata e arsimit me një barrë të madhe, që në fillim si e vetmja përgjegjëse dhe bartëse e të gjitha aktiviteteve për funksionimin e arsimit shqip në të gjitha nivelet në Kosovë. Për rëndësinë e funksionimit të sindikatës në periudhën pas viteve të 90 e deri në luftë duhet të shkruhet gjerë,gjatë e sakët në historinë e re të Kosovës. Pra, jemi dëshmitarë të kohës, se arsimi kosovar ka kaluar periudha të vështira në rrugën e zhvillimit të vetë për shkak të regjimit të egër serb para luftës , pastaj me vështirësi dhe mangësi të mëdha gjatë luftës dhe me probleme materiale dhe influenca të ndryshme në periudhën e pas luftës.

           Moto e punës së SBASHK-ut që nga fillimi e deri me  sot është kontributi i saj qe format dhe mekanizmat e ndryshëm sindikal, të jenë një promotor e kujdestar i përhershëm i mbrojtjes së drejtave të punëtorëve arsimor e me të vetmin qëllim që të kemi në Kosovë një arsim e edukim të mirëfilltë të rinisë kosovare. Në këtë shkrim ne nuk mund të japim krejt atë se çka punohet dhe veprohet në SBASHK, por do të pasqyrojmë disa segmente që i ka sindikata si prioritete të përditshme që ka kontribuar apo duhet të angazhohet të i jetësoj në fushëveprimin e saj.


         SBASHK-u merr iniciativa dhe përkrahë të gjitha reformat progresive që mundësojnë zhvillimin e arsimit. Zhvillon takime të përhershme me MASHT-in dhe qeverinë, ku paraqet kërkesa të arsyeshme e të domosdoshme për të drejtat legjitime e të pamohueshme të arsimtarëve për të gjitha nivelet e arsimit. Zhvillon seminare, tryeza të rrumbullakëta e projekte të ndryshme për avancimin e sindikatës që për qëllim kanë zhvillimin e arsimit në Kosovë. SBASHK-u bashkëpunon me të gjitha sindikatat tjera vendore e rajonale si sindikatat e Shqipërisë dhe me shumë sindikata tjera evropiane. Është anëtare me të drejta të plota e ,EI (Edukimit Internacional)

        SBASHK-u ka bashkëpunim të mirë dhe angazhohet për të thelluar bashkëpunimin me Organizatën Ndërkombëtare të Punës (ILO) për eliminimin e punës së zezë të fëmijëve dhe largimin e fëmijëve nga rruga për të vazhduar shkollimin. Një ndër synimet kryesore të SBASHK-ut është rritja e cilësisë së mësimit në shkollat tona. Jemi dëshmitar se p.sh. në këtë vit shkollor që lamë pas, as gjysma e nxënësve të shkollave të mesme nuk kaluan pragun e arritshmërisë së maturës. Jemi të vetëdijshëm se kjo kërkon një analizë të thellë, por ngritja e cilësisë në arsim, përveç tjerash  përcillet edhe me faktorin kryesor ngritjen e pozitës materiale të mësimdhënësve. Deri në këtë vit shkollor punëtorët arsimor mund të themi kanë marrë  në vend të pagës vetëm një ndihmë sociale këtë e ka thënë edhe kryeministri i Kosovës z. Hashim Thaçi. Angazhimi i vazhdueshëm i SBASHK-ut me presionet e kërcënimet për ndërmarrjen e të gjitha mekanizmave sindikal e vetëdijesuan  qeverinë e Kosovës për të rritë pagat e arsimtarëve 50% nga janari i vitit 2011. Edhe me këtë rritje, pagat ende janë më të ulëtat në rajon. Ne do të angazhohemi për rritje të mëtejme e sidomos jemi këmbëngulës që në vitin kalendarik të realizohet ndryshimi i rritjes edhe për dy muajt e mbetur që nuk janë realizuar. Tani do të zhvillojmë një dialog me qeverinë që inflacioni në çdo vit të përcillet me rritjen e pagës.

SBASHK-u krahas riorganizimit të aktivitetit sindikal në të gjitha komunat dhe çdo shkollë në Kosovë,para veti ka shtruar një varg detyrash e prioritete të rëndësishme.

  • Të formohen struktura sindikale në çdo shkollë ku nuk ekzistojnë dhe të rifreskohen ku është e nevojshme në të gjitha nivelet e organizimit sindikal,
  •  

  • Të punohet me udhëheqësit sindikal komunal etj. dhe të binden mësimdhënësit se çdo arsimtarë duhet të jetë anëtar i sindikatës, se në këtë mënyrë do të jemi më të fuqishëm,
  •  

  • Që me MASHT-in të nënshkruhen kontrata për mbrojtjen e të drejtave te anëtarësisë sindikale dhe udhëheqësve sindikal,
  •  

  • Në mënyrë permanente të angazhohemi për ngritjen e pozitës së arsimtarëve në shoqëri,
  •  

  • Të angazhohemi në forma të ndryshme për ngritjen profesionale të arsimtarëve me organizimin e seminareve, kurseve dhe tryezave etj.
  •  

  • Të angazhohemi në largimin e fëmijëve nga rruga dhe të përfshihen në shkolla,
  •  

  • Për përmirësimin e kushteve të punës në shkolla,pajisjen e shkollave me kabinete, kompjuter apo digjitalizimin e shkollave etj.
  •  

  • Reformimin dhe modernizimin e sistemit arsimor.

     

SBASHK-u si punë parësore dhe urgjente  tani do t’a ketë që sa më shpejtë të hartohet dhe implementohet Kontrata kolektive e re. Me kontratë kolektive do të institucionalizohen raportet punëdhënës dhe punëmarrës. Do të aplikohen dispozita të veçanta kontraktuare siç janë: kontrata të përhershme të punës, pagat,sigurimet shëndetësore, shpërblimet, kohëzgjatja e punës, kohëzgjatja e pushimit etj. Në veçanti këtu është e rëndësishme se do të precizohen kushtet e punës, të drejtat e punëtorëve, të drejtat dhe obligimet e anëtarësisë sindikale dhe udhëheqësve sindikal. Do të konsultojmë shumë kontrata kolektive të shteteve në rajon si atë të Shqipërisë etj, që të hartojmë një kontratë kolektive të mirë e cila do të implementohet dhe do të mbrojë mosdiskriminimin e punëtorëve  apo të drejtat e punëtorëve.

Stafi SBASHK-ut pret nga të gjithë aktivistët e tij të kontribuojnë me ide e projekte të reja, që kërkesat e parashtruara me forcën argumentuese,ligjore dhe këmbëngulje t’i mbrojë të drejtat e punëtorëve apo të ngushtoj rrugën e veprimit burokrat të institucioneve shtetërore. Vizioni i SBASHK-ut duhet të jetë bashkëkohor për t’i zgjidhur kërkesat socialo-ekonomike të anëtarësisë së vetë të gjerë. Të ketë një bashkëpunim dhe influencë me të gjithë faktorët relevant e sidomos me MASHT-in për nja angazhim më aktiv në procesin e zhvillimit të arsimit duke dhënë kontribut në aftësimin profesional të arsimtarëve. T`iu japë mbështetje arsimtarëve fillestar në procesin e mësimit dhe arsimtarëve që dalin në pension. SBASHK-u të japë iniciativa të reja dhe të përkrah çdo reformë në arsimin tonë duke vendosur arsimtarin dhe nxënësin në qendër të vëmendjes.

Për të arritur këto objektiva, SBASHK-u duhet të ketë fuqinë e tij e cila shprehet me anëtarësinë që deri me tani ka të anëtarësuar  rreth 19.000 anëtar. Duhet të angazhohemi të gjithë së bashku që çdo mësimdhënës të jetë anëtar i sindikatës.

 


Shtator, 2011                                                                                                               Rashit Maliqi

                                                                                                                              Nënkryetar i SBASHK-ut

Developed by Gezim Sejdiu
copyright © 2011